Të nderuar, ka ardhur koha të flasim hapur dhe të kërkojmë ndryshime reale për pagat në Maqedoni, me fokus të veçantë tek sektori privat, i cili vazhdimisht anashkalohet. Pyetja që shtrojmë është: A ka dallim mes sektorit privat dhe atij shtetëror? Po, ka, dhe kjo ndasi është më e dukshme se kurrë.
Ne, që për vite të tëra luftojmë për të drejtat e zejtarëve dhe zanateve – profesione që janë thelbësore dhe njëkohësisht deficitare – kërkojmë që këto çështje të trajtohen me seriozitet. Këto zanate janë ndër më të kërkuarat sot, por fatkeqësisht nuk përfaqësohen si duhet dhe nuk mbështeten nga shteti.
Çështjet kryesore që kërkojnë zgjidhje:

  1. Ekonomia e zezë
    • Sot, çdo i treti dyqan për shërbime flokësh është i paregjistruar. Çdo i dyti mekanik punon pa regjistrim. Në të gjitha komunat, nga Likova deri në Gjevgjeli, qindra biznese operojnë pa licencë, pa kupona fiskalë dhe jashtë ekonomisë formale.
    • Kjo dëmton seriozisht sektorin privat formal, i cili paguan taksa dhe kontribuon për shtetin, duke u përballur me konkurrencë të pandershme nga ekonomia joformale.
  2. Punët shtetërore dhe të zezë pas orarit
    • Shumë të punësuar në administratën shtetërore, pas orarit të punës, ofrojnë shërbime të ndryshme në të zezë si parukierë, estetistë, mekanikë, zdrukthtarë dhe shumë të tjera. Ky fenomen dëmton më tej sektorin privat dhe krijon pabarazi në treg.
  3. Largimi i të rinjve dhe mungesa e sensibilizimit
    • Të rinjtë po ikin masivisht, të zhgënjyer nga premtimet boshe dhe mungesa e mbështetjes reale. Sa fushata për sensibilizimin e të rinjve keni parë në televizione? Sa masa konkrete janë ndërmarrë për t’i ndihmuar të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre?
  4. Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimit
    • Sektori i ndërtimit sot po përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore. Plakashtruesit, instaluesit e ujit, fasaduesit dhe shumë zanate të tjera të ndërlidhura me këtë industri janë deficitare. Pse? Paga të ulëta, pasiguri në punë dhe mungesë totale e stimujve nga shteti.
    Kërkesat tona:
  5. Paga minimale prej 700 eurosh
    • Kjo është e domosdoshme, por duhet të shoqërohet me subvencione nga shteti për kontributet e bizneseve të vogla dhe të mesme. Qeveria duhet të subvencionojë 30% të kontributeve për të lehtësuar barrën financiare të sektorit formal.
  6. Luftë e ashpër kundër ekonomisë së zezë
    • Të gjitha bizneset e paregjistruara duhet të identifikohen dhe të integrohen në ekonominë formale. Inspektimet duhet të jenë rigoroze, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, pa përjashtime.
  7. Mbrojtja e sektorit privat nga konkurrenca joformale dhe ndërhyrja e vendeve fqinje
    • Kufijtë janë bërë të shthurur. Produkte dhe shërbime nga vendet fqinje hyjnë në mënyrë të paligjshme dhe dëmtojnë bizneset tona lokale.
  8. Barazi për të gjithë sektorët
    • Sindikatat që përfaqësojnë punëtorët duhet të zgjerojnë fokusin e tyre dhe të përfshijnë sektorin e zejtarëve, ku mbi 70,000 biznese të vogla mbeten jashtë përfaqësimit dhe mbështetjes.
    Mesazhi ynë:
    Shpejtoni! Jemi shumë vonë dhe sektori privat po shembet nën peshën e premtimeve të pambajtura. Vetëm duke luftuar ekonominë e zezë dhe duke mbështetur bizneset formale, mund të sigurojmë rritjen e pagave dhe të ndalojmë largimin e të rinjve. Paga minimale prej 700 eurosh është e mundur vetëm me barazi dhe mbështetje reale për ekonominë formale.
    Ejani dhe shikoni realitetin nga afër. Mos i mbyllni sytë para padrejtësive. Koha për veprim është tani!